Kolposkopi
Kolposkopia është një ekzaminim i thjeshtë po aq sa edhe Pap-Test-i. Mjeku gjinekolog do të ekzaminojë qafën e mitrës përmes një mikroskopi të quajtur kolposkop. Gjatë ekzaminimit kolposkopik në qafën e mitrës aplikohet likide speciale (ac. Acetic dhe solucion Lugoli) të cilat ndihmojnë në zbulimin e ndryshimeve qelizore në nivelin e cipës që vesh qafën së mitrës. Kolposkopia mund të kryhet edhe gjatë shtatzanisë pasi nuk përbën asnjë rrezik.
Rëndësia e kolposkopisë qëndron në aftësinë e saj për të zbuluar (ose përjashtuar) ndryshimet qelizore në qafën e mitrës që i paraprijnë kancerit të qafës së mitrës. Në disa raste ajo është ekzaminimi i parë që zbulon kancerin e qafës së mitrës.
Përvec zbulimit të këtyre gjendjeve pre-kanceroze, kolposkopia mund edhe ti trajtojë ato duke i rezekuar (hequr) përmes ansës diatermike.
Kolposkopinë e kryen një mjek gjinekolog me kompetencë në kolposkopi. Kolposkopia mund të kryhet në spital ose në klinikë. Është një teknikë diagnostikuese / terapeutike e cila nuk kërkon shtrim në spital. Zgjat rreth 10-20 minuta dhe është pa dhimbje.
Kolposkopia rekomandohet në rastet e një pap-testi jo normal ose kur qafa e mitrës nuk duket normale gjatë ekzaminimit me sy të lirë.
Kolposkopia mund të kryhet në ditët pa menstruacione.
Një ditë përpara ekzaminimit ju nuk duhet të bëni tualet vaginal, nuk duhet të vendosni ovula dhe as të kryheni kontakt seksual.